Policia
Shiste llastiqe e dronë te protestuesit: arrestohet 23-vjeçari, në magazinë mbi 450 artikuj
Në magazinën e të riut në Tiranë u gjetën 239 dronë, dhjetëra llastiqe me sfera metalike dhe pajisje elektronike pa dokumentacion.
Nga Redaksia ANN · Redaksia
19 tetor 2026, 11:01 · Përditësuar 12:21 · 1 min lexim
Shkurt
- Policia arrestoi në flagrancë 23-vjeçarin O.M. në rrugën «Tre Dëshmorët» në Tiranë.
- Në magazinë u sekuestruan 239 dronë, 75 llastiqe dhe 44 telefona celularë.
- Materialet iu dërguan Prokurorisë për kontrabandë, fshehje të ardhurash dhe tregti të paligjshme.
Policia e Tiranës arrestoi një 23-vjeçar, i identifikuar me inicialet O.M., i cili dyshohet se u shiste protestuesve llastiqe gjuetie, dronë dhe pajisje të tjera elektronike.
I riu u kap në flagrancë në rrugën «Tre Dëshmorët», ndërsa po shiste artikuj për pjesëmarrës në protestë. Në momentin e arrestimit, policia i sekuestroi 30 llastiqe gjuetie me sfera metalike.
Operacioni i koduar «Infrastruktura» u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me prokurorinë.
Çfarë u gjet në magazinë
Në një magazinë që i riu disponon në rrugën «Kol Koçi», policia gjeti 239 dronë të përmasave të ndryshme, 75 llastiqe të tjera dhe sasi sferash metalike, 44 telefona celularë, gjurmues GPS për automjete, kamera, syze me regjistrim video, pajisje lazer dhe mjete të tjera elektronike. Sipas policisë, ai nuk kishte asnjë dokumentacion për to.
Materialet iu dërguan Prokurorisë për veprat penale të kontrabandës, fshehjes së të ardhurave, mospagimit të detyrimeve tatimore dhe tregtisë së paligjshme. Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.


